MENAXHIMI I STILIT ‘DE BIAZI’

Foto: Xhani De Biazi gjatë një ndeshjeje Burimi: www.sportsnet.ca

Pasi Ekipi Kombëtar Shqiptar i Futbollit u kualifikua për herë të parë në historinë e vet në Kampionatin Evropian të Futbollit, në atë të vitit 2016, një nga revistat më prestigjioze pranë institucionit të FIFA-s (Federatës Ndërkombëtare të Futbollit) i kushtoi një kryeartikull këtij lajmi të bujshëm, duke intervistuar trajnerin e asokohshëm Xhani De Biazi (Gianni De Biasi).

Pyetja më tërheqëse e kësaj interviste dhe që ngacmonte më shumë kureshtjen ishte:

Çfarë lloj teknike, taktike loje, formule në fushën e lojës apo strategjie loje kishte zbatuar De Biazi tek Ekipi Shqiptar për arritjen e këtij rezultati historik?

Për çudinë e të gjithë opinionit sportiv, trajneri De Biazi deklaroi prerazi: “Asnjë nga këto!”

Që nënkuptonte se rezultati nuk kishte ardhur si rrjedhojë e zbatimit të një teknike, taktike loje, formule në fushën e lojës apo strategjie të caktuar loje për sa i përket vetëm futbollit në vetvete. Këtë gjë, De Biazi  e sqaroi më tej në intervistën e tij.

Ajo që ai theksoi në vijim ishte:

“Kam punuar shumë për të ndryshuar pikën më delikate.. Mendësinë (ose mentalitetin) e futbollistëve shqiptar!”

Sipas De Biazit, që në fillimet e punës me Ekipin Kombëtar, ai pati konstatuar se lojtarët shqiptarë nuk kishin ‘Mendësinë e Fituesit’! Pra, ata hynin në lojë pa synuar që t’i shkonin lojës deri në fund me fitore!.. Jo se nuk e dëshironin fitoren, por thjeshtë nuk e mendonin si një Qellim kryesor dhe kjo i bënte qe të Dorëzoheshin!

Sipas tij, ky dorëzim, për të mos vazhduar lojën me fitoren si qëllim të fundmë, u ishte bere zakon nga e kaluara. Një zakon ky, që i bënte të hynin në fushë me mendësinë e llojit: “Të bëjmë si të bëjmë e le te dalë si te dalë”.

Trajnerit De Biazi iu deshën shume muaj me shumë punë dhe shumë stres, sipas tij, që të trajtonte sa më shumë të ishte e mundur këtë çështje kyçe. Këtë e bënte duke u përpjekur t’u tregonte se, pikë së pari, ‘topi ishte i rrumbullakët’ dhe çdo ekip në fushën e lojës mundësitë për të fituar, humbur ose barazuar i ka 1 me 3 dhe jo 1 me 1,000,000. Ndërsa nga ana tjetër, ai punonte fort në përgatitjen fizike të lojtarëve dhe në formësimin e taktikës së lojës që do të lidhte lojtarët në fushë. E gjitha kjo me objektivin fillestar që të shmangte sa më shumë të ishte e mundur vetëm një gjë: Humbjen e Ndeshjes!

Foto: Ekipi shqiptar para një ndeshjeje Burimi: www.colgadosporelfutbol.com

De Biazi ishte realist. Ai e njihte mirë nivelin e çdo lojtari. Pothuajse në çdo ndeshje përgatitore apo miqësore, ai vendoste një ekip me këtë përbërje taktike:

60% Mbrojtës – për të shmangur Humbjen –  duke krijuar Siguri,

35% Mesfushor – për të garantuar Barazimin – duke krijuar Ekuilibër

15% Sulmues – për të shfrytëzuar çdo rast që mund të sillte një gol – duke krijuar  Entuziazëm.

Me këtë taktikë, (kryesisht në skemën e lojës 4-5-1) nëse ekipi nuk shënonte, të paktën kishte të garantuar barazimin dhe në të shumtën rasteve shmangte humbjen. Dhe sistemi ishte i atillë sa lojtarët ishin më shumë se më parë ‘zotërues’ të rezultatit të ndeshjes.

Çka dallohej në stilin e menaxhimit të De Biazit ishte se investimi për të arritur fitoren e ndeshjeve bazohej mbi një punë afatgjatë dhe të vazhdueshme të Ndërtimit dhe Rritjes së një Skuadre të Aftë, e cila fitonte gjithmonë e më shumë Vetëbesimit duke u ndërgjegjësuar se Rezultatet ishin përherë e më shumë fryt i punës së tyre dhe jo i rastësisë. E gjitha kjo një përpjekje afatgjatë dhe e duruar për të arritur objektivin kryesor: Kualifikimin në Kampionatin Evropian të Futbollit.

Nëse skuadra do të synonte fitoren me nxjerrjen në fushë të një formacioni sulmues, niveli real i përgatitjes fizike të lojtarëve dhe niveli i tyre teknik nuk do të mund ta përballonte këtë ‘sforco’ pasi do të linte hapësira në mesfushë dhe në mbrojte. Madje në këtë mënyrë as reparti i sulmit nuk do të ishte efikas, pasi sulmi i suksesshëm varet nga një ‘prapavijë’ e fortë mesfusheje dhe mbrojtjeje.

Kështu duhej një menaxhim i mirë i nivelit fizik dhe teknik i lojtarëve për të nxjerrë më të mirën e tyre dhe jo duke ‘i djegur’ duke u kërkuar të bënin diçka përtej aftësive të tyre. Sepse në këtë mënyrë jo vetëm që rezultatit bëhej më i vështirë për t’u arritur por edhe morali apo mendësia e lojtarëve do të pësonte një goditje. Dhe dëmi moral është shumë herë më i rëndë në një ekip futbolli sesa humbja e një ndeshjeje.

Ndaj edhe mënyrë e lojës se Kuq-e-Zinjve u ndërtua duke nxjerrë më të mirën e lojtarëve, si edhe duke i përdorur aftësitë e tyre më së mirë në lojën e ekipit, për të arritur rezultatin e dëshiruar. Kështu, duke pasur parasysh këto gjëra, Kuq-e-Zinjtë luanin kryesisht një lojë mbrojtëse, me qarkullim të madh të topit për të ‘harxhuar’ sa më shumë minuta të ndeshjes dhe duke kërkuar një sulm të befasishëm në çastin kur kundërshtari të shfaqte lodhje apo humbje të përqendrimit.

Në këtë mënyrë erdhi ‘FITORJA’ e parë, që në skemën a planit afatgjatë të ndërtimit dhe të rritjes së ekipit ishe më e rëndësishmja: ‘MOSHUMBJA’!

Foto ilustruese: Formacioni i ekipit shqiptar te futbollit Burimi: www.goal.com

Për këtë lloj loje De Biazi kritikohej jo pak nga mediat dhe opinioni sportiv në Shqipëri. Por ai vijoi, pa u ndikuar planin e tij. Vërtet mund të mos kishte lojë futbolli të këndshme për syrin, por në fund arrihej rezultati. Dhe rezultatit është ajo çka mbetet zyrtarisht në një ndeshje.

Po të shohim rezultatet e fazës eliminatore te Ekipit Kombëtar drejt Kampionatit Evropian, me përjashtim të ndonjë rasti sporadik, thuajse të gjitha rezultatet e ndeshjeve përfundonin me fitore, barazime dhe me humbje te ngushta (pra nuk ishin humbje të thella dhe të njëpasnjëshme si më parë dhe golavarazhi qe i ngushtë por pozitiv).

Gjithashtu, ekipi ripërtërihej duke fituar freskinë e një ekipi të çlirët e të shpejtë POR edhe të blinduar, që nuk mund të zhbëhej dot lehtë.

Ky karakter skuadre, përveç rezultateve qe sa vinin e përparonin në mënyrë të vazhdueshme, bëri që Kuq-e-Zinjtë të tërheqin vëmendjen e opinionit mbarëbotëror, jo më si një lajm rutinë rezultati futbollistik por si një ekip që po tregonte protagonizëm në përpjekjet e veta për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian të Futbollit.

Në tërësi, merita kryesore e De Biazit si trajner (menaxher) në pikëpamjen ‘Makro-Menaxheriale’ nuk është vetëm kualifikimi i Ekipit Kombëtar në Kampionatin Evropian të Futbollit. Kjo padyshim që ishte rezultati dhe shpërblimi për të gjithë ecurinë e e këtij projekti.

Mendoj se De Biazi ka merita për më shumë se kaq. Ai u tregoi lojtarëve të tij se ata nuk janë humbës! Ata nuk janë as fatkeqë e as fatlumë, por thjesht PROFESIONISTË! Ata nuk kanë asgjë më shumë e asgjë më pak sesa KAMPIONËT!

Foto : Trajneri De Biazi duke biseduar me kapitenin  Lorik Cana Burimi: www.zeri.info

Ai bëri që lojtarëve t’u lindin Shpresat, duke vendosur Qëllime të bëshme e duke Punuar Praktikisht që t’i Arrinte ato!

Ai mësoi se me Punë dhe Realizëm arrihet çdo Objektiv!

Por kjo pasi të kesh pranuar ‘të vërtetën matematikore’ që shanset që të fitosh një ndeshje, ku mundësitë janë fitore, barazim dhe humbje, janë dhe mbeten gjithmonë 1 në 3.

Falë strategjisë ‘me këmbë në tokë’ te De Biazit, Ekipi Kombëtar Shqiptar i Futbollit krijoi një Model të Suksesshëm, që na tregon se:

FITORJA është meritë ekskluzive e PUNËS dhe MOSDORËZIMIT.

BARAZIMI është një lloj FITOREJE në vetvete pasi asnjëra pale S’KA HUMBUR.

HUMBJA është pjesë e lojës dhe kthehet gjithmonë në FITORE pasi ke shfrytëzuar mundësinë për KORRIGJIM, që vjen si rrjedhojë e analizës.

Trajneri De Biazi, përmes menaxhimit Sportiv na mësoi edhe meanxhimin Njerëzor në sport : Respektin për Punën si edhe Dinjitetin. 

‘La goia della fatica’ –  e quante ai – Gëzimi që vjen nga Lodhja e Punës!

Foto : Lojtarët shqiptar i gëzohen golit të fitores 1-0 ndaj Rumanisë, gjatë Kampionatit Evropian France 2016 Burimi: www.delfi.lt

Tashmë Ekipi Kombëtar Shqiptar i Futbollit jo vetëm që ka shijuar kualifikimin në një Kampionat Evropian të Futbollit, por ka dokumentuar nje Model Suksesi në kuadrin e punës afatgjatë të Ndërtimit dhe Rritjes së një Skuadre të Aftë për Sfida të reja. Tashmë, mbetet vetëm për t’u parë nëse këto sfida do përballen duke u rritur sipër të njëjtit model, apo sipër një modeli të ri, nga një trajner (menaxher) i ri?

Por ajo që dihet me siguri është se e gjitha është çështje MENAXHIMI! Kjo vlen në çdo ‘ndeshje’ të jetës.