VAJZAT HI-TECH & BARAZIA GJINORE

Fjalim motivues i mbajtur gjatë eventit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në Fushat e Information-Communication-Technology, organizuar nga EESTEC LC – EU.Association në bashkëpunim me M&M Ivanaj Foundation Institute.

Vajzat Hi-Tech dhe barazia gjinore

Në karrierën time profesionale në fushën e dizajnit, komunikimit dhe marketingut, nga kontakti i përditshëm me tregun, me klientë dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm, kam arritur të kuptoj se vajzat profesioniste kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në tregun e sotëm. Ato, praktikisht, këtij tregu i kanë dhuruar më shumë ‘ngjyra’ dhe mjaft energji pozitive!

Pse e them këtë?

Së pari, mendoj se vetë natyra femërore përcjell vetëvetiu butësi dhe pozitivitet. Këto veçori sot përkthehen në pika të forta profesionale, si: aftësi të mira komunikuese, aftësi analizuese ‘të qeta’ ndaj kërkesave dhe porosive, si edhe sjellje me gjakftohtësi ndaj nevojave të tregut për shërbime sa më cilësore.

Në sipërmarrjet që drejtoj pjesa më e madhe kolegëve janë vajza. Madje dizajnerat me të cilat punoj janë thuajse të gjitha vajza. Duhet të theksoj se jam me fat që vajza  kaq të talentuara kanë vendosur të punojnë me mua. Kjo pasi  që prej fillimit ato kanë qënë pasiononte për punën që bëjnë dhe pasioni i tyre i ka bërë që të jenë më sistematike, të dedikuara tërësisht dhe shumë të organizuara. Dhe këto janë disa karakteristika të tyre, që nuk i gjen shpesh tek tregu i dizajnerave i zotëruar kryesisht nga djemtë.

Në këtë përfundimi kam arritur me shumë bindje, pasi së fundmi po punoj edhe me një program trajnimi në fushën e Menaxhimit Krijues. Ky program ka për qëllim zhvillimin personal dhe profesional, në mënyrë që të integrojë profesionistët e rinj në tregun e punës, si edhe për t’i ndihmuar ata të kanalizojnë aftësitë në iniciativa dhe sipërmarrje vetjake. Ndërsa po punoj në fushën e Menaxhimit Krijues, jam marrë me studimin e natyrës njerëzore dhe vazhdoj ende të studioj, pasi dija në këtë fushë nuk ka fund. Për rrjedhojë zbulova edhe disa dallime midis meshkujve dhe femrave.

Një nga dallimet biologjike më të dalluara midis gjinive është se meshkujt e kanë trurin 2% më të madh sesa femrat dhe nga kjo pikëpamje u krijuar perceptimi shekullor i një ‘avantazhi’ që meshkujt të kenë pasur mbi femrat. Ndërkaq kjo dukuri nuk paraqet detyrimisht një avantazh në të menduarin me racionalizëm dhe aftësitë problemzgjidhëse të njërës gjini krahasuar tjetrën. Sasi, jo gjithnjë përkthehet në cilësi.

Truri ka dy hemisfera. Meshkujt i përdorin hemisferat e tyre të trurit me radhë. Ata përdorin kryesisht hemisferën e majtë kur punojnë, e cila është përgjegjëse për arsyetimin. Ndërsa kur argëtohet ata përdorin hemisferën e djathtë, e cila është përgjegjëse për anën emocionale.

Nga ana tjetër, femrat kanë avantazhin që përdorin të dyja hemisferat e trurit njëkohësisht, çka do të thotë, se ato janë të afta të kryejnë disa veprimtari njëkohësisht. Kjo do të thotë rendiment më i lartë dhe aftësi të balancuara prodhuese dhe krijuese.  Kjo i bën femrat punonjëse ‘Multi-Task’!  Për sa më lartë, meshkujt, falë hemisferës së majtë, kanë aftësi dalluese në matematikë, ndërsa femrat më së shumti në komunikim dhe arte. (Ndaj dhe vajzat mbeten promotore të fushave të modës, dekorit, estetikës, arteve të bukura, etj)

Bota ka përparuar teknologjikisht, e për rrjedhojë, edhe tregu ekonomik ka marrë një dinamikë të re. Më parë kemi pasur një treg industrial, ku ekonomia qe bazuar kryesisht në prodhimin e gjerë. Veprimtaria ekonomike bazohej kryesisht në industri dhe fabrika. Ndaj edhe femrat qenë të orientuara për të punuar thuajse njësoj si meshkujt. Nuk nevojitej shumë punë krijuese, për të mos thënë që rëndom s’kishte fare. Kjo ishte periudha industriale.

Tashmë jemi në periudhën post-industriale apo Periudha e Dijes dhe Informacionit. Tashmë, shkëmbimi ekonomik nuk kushtëzohet nga një dyqan fizik me pozicionin më të mirë në qytet. Në fakt është personi, shitësi apo marketuesi që di të komunikojë më mirë vlerat e produkteve dhe shërbimet të tij, që përparon në treg. Me zhvillimin e teknologjisë së komunikimit dhe të informacionit, dyqanet fizike janë virtualisht dhe praktikisht kudo. Prandaj, mjafton pak dëshirë dhe shumë praktikë biznesi me mediat sociale dhe suksesi është i arritshëm dhe i garantuar për këdo që ka dëshirë dhe zhvillon aftësitë personale dhe profesionale.

Po jap një shembull në vijim. Një vajzë pas shumë vitesh përvojë në fushën e marketingut, nisi të bashkëpunonte me të ëmën e saj rrobaqepëse. Aktualisht ajo drejton një atelie për fustane vajzash të vogla dhe shet brenda dhe jashtë vendit. Mjaftuan një website i ndërtuar me ‘Wordpres’, një faqe në rrjetet sociale ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’. Të gjitha këto me shpenzime mujore jo më shumë se $100. Nëse do të merrte një dyqan me qira do t’i kushtonte mesatarisht $1000 në muaj. Pra kursen rreth $900 për t’i investuar në zgjerimin dhe zhvillimin real të biznesit.

Po kështu mund të merren si shembuj disa këngëtare të suksesshme si Era Istrefi, Dua Lipa apo Bebe Rexha, të cilat njihen kudo në botë, në të gjitha kontinentet falë ekspozimit të aftësive dhe pasionit të tyre për muzikën pikërisht në ‘Youtube’. Pra në një hapësirë virtuale me kosto falas dhe shtrirje të mbarëbotërore.

Çdo i ri duhet ta shikojë këtë treg si një mundësi të artë, për të ekspozuar dhe marketuar talentin dhe aftësitë e veta, pavarësisht fushës së veprimtarisë. Mundësia është shumë e lartë që kudo dhe kurdoherë të ketë njerëz të interesuar për shërbimet apo produktet që ju ofroni. Dhe kur themi treg, kemi parasysh te gjithë botën si një treg të vetëm.

Për disa mund të lindë pyetja nëse në këtë treg ka ende profesione të dedikuara vetëm për djemtë, apo vetëm për vajzat? Guxoj te them: Absolutisht jo! Historia ka treguar se vajzat mund të bëjnë çdo punë që mund ta bëjnë edhe djemtë. Madje në disa raste edhe më mirë.

Por akoma më mirë është sinergjia e krijuar nga bashkëpunimi në projekte i vajzave dhe djemve së bashku. Në këtë mënyrë kemi një BARAZI të drejtë, të plotë dhe reale sepse në këtë mënyrë ka edhe rendiment më të madh prodhimi, pasi shfrytëzohen aftësitë më të mira të çdo njeriu (pavarësisht gjinisë dhe individualitetit). Barazi nuk do të thotë që vajzat të sillen si djemtë dhe anasjelltas. Barazi do të thotë dhe është kur secili dhe secila tregon VLERAT e tij dhe te saj në pune dhe në një shoqëri të lirë dhe të bashkuar.